BIBLEPAGE.NET

Një rehatshme leximit të Biblës në internet

Vargu i Ditës

Sepse zemërimi i Perëndisë zbulohet nga qielli për çdo pabesi e padrejtësi të njerëzve, që mbysin të vërtetën në padrejtësi

Romakeve 1:18


 

Kapitulli 7



1Në vitin e parë të Belshatsarit, mbretit të Babilonisë, Danieli, kur ishte në shtrat, pa një ëndërr dhe pati vegime në mendjen e tij. Pastaj shkroi ëndërrën dhe tregoi thelbin e ngjarjes.
2Danieli, pra, filloi të thotë: "Unë shikoj në vegimin tim, natën, dhe ja, katër erërat e qiellit tronditnin Detin e Madh,
3dhe katër kafshë të mëdha po dilnin nga deti, njera ndryshe nga tjetra.
4E para i ngjante një luani dhe kishte krahë shqiponje. Unë shikoja deri sa ia shkulën krahët, pastaj e ngritën nga toka e vunë të qëndrojë drejt mbi dy këmbët e veta si një njeri dhe iu dha një zemër njeriu.
5Dhe ja një kafshë tjetër, e dyta, që i ngjante një ariu; ngrihej mbi një krah dhe kishte tri brinjë në gojë, midis dhëmbëve, dhe i thanë: "Çohu, ha shumë mish".
6Mbas kësaj unë shikoja, dhe ja një tjetër që i ngjante një leopardi, dhe që kishte katër fletë shpendi mbi kurrizin e vet; kafsha kishte katër koka dhe iu dha sundimi.
7Mbas kësaj, unë shikoja në vegime nate, dhe ja një kafshë e katërt e llahtarshme, e tmerrshme, jashtëzakonisht e fuqishme; kishte dhëmbë të mëdha prej hekuri; hante, thërrmonte dhe shtypte kusurin me këmbë; ishte ndryshe nga të gjitha kafshët e mëparshme dhe kishte dhjetë brirë.
8Isha duke vërejtur brirët, kur ja, midis tyre filloi të dalë një bri tjetër i vogël, para të cilit tre nga brirët e parë u shkulën; dhe ja, në atë bri ishin disa sy që i përngjanin syve të njeriut dhe një gojë që thoshte gjëra të mëdha.
9Unë vazhdova të shikoj deri sa u vendosën fronet dhe i Lashti i ditëve u ul. Veshja e tij ishte e bardhë si bora, flokët e kokës së tij ishin si leshi i pastër; froni i tij ishte si flokët e zjarrit dhe rrotat e tij si zjarr përvëlues.
10Një lumë zjarri rridhte, duke dalë nga prania e tij; mijëra e mijëra njerëz i shërbenin dhe mori dhe mori qëndronin përpara tij. Gjykimi u bë dhe librat u hapën.
11Atëherë unë shikova për shkak të fjalëve të mëdha që briri thoshte; shikova deri sa u vra kafsha, dhe trupi i saj u shkatërrua dhe u hodh në zjarr për t'u djegur.
12Sa për kafshët e tjera, u hoq sundimi i tyre por iu lejua atyre një zgjatje e jetës për një periudhë të caktuar kohe.
13Unë shikoja disa vegime nate, dhe ja mbi retë e qiellit po vinte dikush që i ngjante një Biri njeriu; ai arriti deri te i Lashti i ditëve dhe iu afrua atij.
14Atij iu dha sundimi, lavdia dhe mbretëria, me qëllim që gjithë popujt, kombet dhe gjuhët t'i shërbenin; sundimi i tij është një sundim i përjetshëm që nuk do të kalojë, dhe mbretëria e tij është një mbretëri që nuk do shkatërrohet kurrë".
15"Sa për mua, Danielin, fryma ime mbeti e brengosur në mbështjellën e trupit dhe vegimet e mendjes sime më turbulluan.
16Iu afrova njërit nga ata që ishin aty afër dhe e pyeta mbi të vërtetën që lidhej me tërë këtë punë; dhe ai më foli dhe më bëri të njohur interpretimin e atyre gjërave:
17"Këto kafshë të mëdha, që janë katër, përfaqësojnë katër mbretër që do të dalin nga toka;
18pastaj shenjtorët e Shumë të Lartit do të marrin mbretërinë dhe do ta zotërojnë përjetë, në përjetësi".
19Atëherë dëshirova të mësoj të vërtetën lidhur me kafshën e katërt, që ishte ndryshe nga të gjitha të tjerat dhe jashtëzakonisht e tmerrshme, me dhëmbë prej hekuri dhe me thonj prej bronzi, që hante, thërrmonte dhe shkelte me këmbë kusurin,
20dhe lidhur me dhjetë brirët që kishte mbi kokë, dhe lidhur me bririn tjetër që i dilte dhe para të cilit kishin rënë tre brirë, domethënë briri që kishte sy dhe gojë për të thënë gjëra të mëdha dhe që dukej më i madh se brirët e tjerë.
21Unë shikoja dhe po ky bri bënte luftë kundër shenjtorëve dhe i mundte,
22deri sa arriti i Lashti i ditëve dhe iu dha e drejta shenjtorëve të Shumë të Lartit, dhe erdhi koha në të cilën shenjtorët zotëruan mbretërinë.
23Dhe ai më foli kështu: "Kafsha e katërt do të jetë një mbretëri e katërt mbi tokë, që do të jetë ndryshe nga të gjitha mbretëritë e tjera, dhe do të hajë tërë tokën, do ta shkelë dhe do ta thërrmojë.
24Dhjetë brirët janë dhjetë mbretër që do të dalin nga kjo mbretëri; mbas tyre do të dalë një tjetër, që do të jetë ndryshe nga të mëparshmit dhe do të rrëzojë tre mbretër.
25Ai do të shqiptojë fjalë kundër Shumë të Lartit, do të përndjekë shenjtorët e Shumë të Lartit me qëllim që t'i shfarosë dhe do të mendojë të ndryshojë kohërat dhe ligjin; shenjtorët do të bien në duart e tij për një farë kohe, disa kohë dhe për gjysmën e një kohe.
26Pastaj do të bëhet gjyqi dhe do t'i hiqet sundimi, i cili do të asgjësohet dhe do të shkatërrohet përjetë.
27Pastaj mbretëria, sundimi dhe madhështia e mbretërive nën të gjithë qiejt do t'i jepen popullit të shenjtorëve të Më të Lartit; mbretëria e tij është një mbretëri e përjetshme, dhe të gjitha zotërimet do t'i shërbejnë dhe do t'i binden atij".
28Këtu mbaruan fjalët që më ishin drejtuar. Sa për mua, Danielin, mendimet e mia më turbulluan shumë dhe ndryshova pamje por i ruajta fjalët në zemrën time".


  • Versione tjera  
  • English
  • Français
  • Deutsch
  • Español
  • Português
  • Italiano
  • Nederlands
  • Român
  • Dansk
  • Svensk
  • Suomi
  • Norsk
  • Čeština
  • русский
  • Український
  • Български
  • Polski
  • Hrvatski
  • Magyar
  • Shqiptar
  • Türk
  • עברית
  • 圣经
  • 聖經
  • 한국의
  • 日本語
  • Tiêng Viêt
  • ภาษาไทย
  • Tagalog
  • Indonesia
  • हिन्दी
  • தமிழ்
  • ਪੰਜਾਬੀ
  • اردو
  • Somali
  • Kiswahili
  • العربية